Skip to content

Kukësi, debutim historik me kualifikim

Debutimi në kupat e Europës ka rezultuar historik për një skuadër modeste si Kukësi, që është kualifikuar për në raundin e dytë eliminator të kompeticionit më të vogël futbollistik kontinental. 

Në një finale emocionuese, në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Qemal Stafa”, ekipi verilindor ka dominuar totalisht në 90-minutëshin e zhvilluar ndaj Flora Talin, por, edhe pse ka barazuar pa gola, kalon në turin tjetër falë barazimit 1-1 në Estoni.

Sfida në impiantin kryeqytetas nisi nën dritën e diellit, por përfundoi mes prozhektorëve të “Qemal Stafës” dhe nën brohoritjet e qindra tifozëve kuksianë, që festuan kualifikimin historik.

Duke iu rikthyer ndeshjes, ekipi shqiptar e nisi vrullshëm lojën, me disa raste të pastra në portën e estonezëve. Falë edhe grintës, së inspiruar që nga pankina prej trajnerit Armando Cungu, kuksianët u rreshtuan me radhë në kuadratin e Flora Talin, por pa mundur të tundin rrjetën.

Në limitin e 15-minutëshit të parë, Hoxha pati një shans të artë, por u tregua i pafat, ndërsa edhe goditja e këndit që pasoi, nuk e prishi barazpeshën. Serbi Popovic dhe Enkel Alikaj morën në dorë frenat e sulmit, por fati nuk ishte në anën e Kukësit.

Starti i fraksionit të dytë nisi me një kundërsulm të bukur të kuksianëve, por penalltia në lëvizje e Alikaj u devijua nga portieri estonez. Ndeshja mori përmasa dramatike, kur arbitri zvicerian nxorri me karton të kuq Besar Musollin, pas një reagimi të ashpër për faullin që pësoi.

Por, ky ishte vetëm një nga shumë vendimet e diskutueshme të gjyqtarit helvet. Zëvendësimet e trajneti Cungu rifreskuan lojën, ndërsa, edhe pas 5 minutave shtesë, Kukësi ruajti me fanatizëm barazimin, që e kualifikon në fazën tjetër.

Ka dështuar totalisht skuadra tjetër shqiptare, Teuta, e cila humbi 2-0 në kryeqytetin moldav ndaj Dacias, duke lënë kompeticionin. Durrsakët kishin fituar 3-1 në sfidën e parë, por, këtë herë, moldavët u imponuan pastër, duke u kualifikuar falë rregullit të golit në fushë kundërshtare.

Laçi, skuadra tjetër shqiptare, që merrte pjesë në këtë kompeticion, u eliminua të martën, pasi humbi 2-1 takimin ndaj Diferdange 03. Laçianët kishin humbur edhe ndeshjen e parë ndaj modestëve nga Luksemburgu, me rezultatin 1-0.

Mariah Carey tregon format

Është nëna e dy binjakëve, por Mariah Carey ka një fizik që çdo femër do e kishte zili. Këngëtarja 43-vjeçare tregoi format e saj në një monokini të zi gjatë xhirimit të videoklipit të saj të ri, në Itali, duke treguar se ka ardhur sërish në formë. 

Mariah shtoi rreth 30 kilogramë gjatë shtatzënisë së saj dhe iu desh 1 vit për të rifituar formën.

Ajo e ka shpjeguar kështu rënien në peshë: “U shëndosha shumë dhe fillova t’i kuptoj njerëzit që duan të humbasin në peshë. Nuk më mjaftonte më stërvitja, por duhej edhe një dietë e rreptë. Eci shumë dhe gjithashtu bëj shumë not në pishinë.”

“Shqipëria e ka marrë vendimin”

Albanian Prime Minister Ilir Meta is escorted ...

 Ilir Meta

Në një takim elektoral në njësinë numër 9 në Tiranë, lideri i LSI-së, Ilir Meta u shpreh se LSI ka treguar gjithmonë se di të sjellë energji pozitive për vendin, shoqërinë e jetën politike prandaj edhe rezultati më 23 Qershor theksoi ai do të jetë i jashtëzakonshëm. 

“Unë besoj se Shqipëria e ka marrë vendimin e saj për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Roli i LSI-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përcaktues, suksesi ynë do të jetë i jashtëzakonshëm. Nuk ka qark në Shqipëri ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e merr të paktën një mandat, ndërkohë në Berat, në Fier, në Durrës, në Elbasan ne luftojmë për të pasur të sigurta nga 2 mandate. Ndërsa lufta më e madhe është në Qarkun e Tiranës, ku jam i bindur se do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm dhe për këtë jam i bindur që edhe njësia 9 do të kontribuojë fuqishëm”, deklaroi kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Rama firmos në Kamëz

Në Kamëz, e cila konsiderohet një prej bastioneve të PD, Edi Rama dhe kandidatët socialistë të Tiranës firmosën zotimin e bërë para shqiptarëve, për të zgjidhur cështjen e legalizimeve. 

“Ju ftoj të zotoheni për të mbajtur këto premtime, se kamzalinjtë kanë nevojë më shumë se kushdo: Legalizimi i shtëpive në zonat informale do bëhet falas. Procesi i legalizimit të shtëpive në zonat informale do të mbyllet brenda mandatit të parë qeverisës. Edi Rama si kryeministër do të jetë përgjegjës për ecurinë e procesit të legalizimeve. Ju ftoj në emër të popullit të Kamzës të nënshkruani zotimet”, u shpreh Pjerin Ndreu.

“Unë dëshiroj që ky zotim, i firmosur prej meje, të vendoset diku këtu, në sytë e të gjithëve dhe vlerësimin tuaj ta jepni pas katër vjetësh, mbi bazën e këtij zotimi. Unë iu zotohem solemnisht, se qeveria jonë e Rilindjes dhe unë personalisht do të angazhohemi me mish e me shpirt, që brenda mandatit të parë të gjitha shtëpitë në zonat informale të jenë kthyer në pasuri të patundshme, të hipotekuara. Në katër vite, ne do të bëjmë atë, që katragjyshi nuk e bëri dot për një çerek shekulli”, deklaroi Rama.
Rama: Do hapim kapitullin e ri
Mitingu i Durrësit: Pushtetin familjar të Berishës e ka marrë lumi 

Më pas në Durrës, në një miting përmbyllës, që Rama e cilësoi të zjarrtë, ai tha se ky është treguesi, që pushtetin familjar të Berishës e ka marrë lumi. Kreu i PS deklaroi se në 8 vite Shqipëria është qeverisur nga një njeri, i cili nuk ka haberin se ku jetojnë, cfarë heqin dhe si e shtrojnë tavolinën e bukës shqiptarët e zhytur në borxhe. Por jo vetëm kaq.

“Po sot, pse nuk ua tregon duart, ku i ka duart, pse i fsheh duart e nuk i nxjerr? Sepse ai e di mirë, që tanimë të gjitha vijat e atyre duarve janë të shënuara nga tragjeditë, dramat, mëkatet, fajet e dështimet e këtyre tetë viteve. Në ato duar rrjedh gjaku i pafajshëm i viktimave të Gërdecit dhe dëshmorëve të 21 janarit, në ato duar kullon zullumi i korrupsionit me pasuritë kombëtare e pronën e shqiptarëve. Në ato duar lulëzojnë gënjeshtrat, shpifjet, dështimet për premtimet e pambajtura dhe talljet e pafundme me këtë popull. Pastaj erdhi 2009 dhe në 2009 u thoshte, tani keni filluar të mos më besoni, por më besoni se bota më beson. U tregonte fotografi, ku i takonte dhe i takonte, filmime që i takonte dhe e takonin, po tani ku i ka? Kush e takon? Ku është bota? Kush e beson?
Jo vetëm që askush s’e beson, por askush nuk dënjon më t’i japë dorën, se atë dorë se prek më bota, se është dora e një pushteti, që për tetë vjet me radhë rrënoi Shqipërinë. Bota pret ndryshimin, pret largimin e atij pushteti dhe rrjedhjen e një dite të re, me një qeveri të re, për një Rilindje shqiptare”, u shpreh Rama.

Rama tha se, në 23 qershor, duke votuar Partinë Socialiste, shqiptaret do të hapin një kapitull të ri, që quhet Rilindje.

“Fermerët e Durrësit do të çlirohen nga barra e padurueshme e kostove të prodhimit. Me një votë te numri 29 do të ulim 35% çmimin e naftës, do të zerojmë taksat për plehrat, fidanët e makineritë bujqësore dhe do të firmosim programin e madh të ujit në parcelë, që brenda katër vitesh të mos ketë më një metër tokë bujqësore, që të vuajë për ujë, dhe të mos ketë më asnjë kilogram prodhim, që të përmbytet nga uji. Një Durrës i ri do të jetë pas katër vitesh, kur ne do kemi përfunduar procesin e legalizimeve falas, për të gjitha ato familje. Familjet e vjetra të Durrësit dhe familjet e reja të Durrësit të ri duhet ta bashkojnë votën e tyre. Për Durrësin, ku romakët ndërtuan amfiteatrin më të madh jashtë Vlorës, dhe ku ne, socialistët, do të ngremë kantierin më të madh të transformimit të këtyre 20 vjetëve”, përfundoi Rama.

***

Më pas Rama sulmoi kryeministrin Berisha, të cilin e krahasoi me ish-kreun e PS-së, Fatos Nano. “Berishën e ka kapur sindromi i Fatos Nanos. Ka ca ditë që thotë unë jam Sali Berisha. Unë jam ai që bëri Tiranën dhe zotohem se do të bëj edhe Kamzën si Tirana. Skuadra e Tiranës, ka një kapiten dhe një garant të Shqipërisë, që është një në jug e në veri, Pandeli Majko dhe të jeni 100 përqind të sigurtë që ky njeri, që e ktheu Shqipërinë në shtëpi për 500 mijë njerëz të përzënë nga Milloshevici, nuk do të lejojë që pas 23 qershorit, ju të mos keni legalizimet”, tha Rama.

Një martesë kundër vdekjes

Një martesë kundër vdekjesNjë çift britanik u detyrua që të përshpejtonte planet e tyre disa-mujore për një dasmë perfekte në dhjetë ditë, pasi një lajm tronditës goditi përfundimisht shpresat e tyre për një jetë të lumtur dhe të gjatë së bashku. 

41-vjeçari Chris Clark dhe 30-vjeçarja Charlotte kishin disa muaj që planifikonin detajet e dasmës, që do të kurorëzonte dashurinë e tyre disa-vjeçare.

Megjithatë, papritmas, Clark u ndie keq dhe i shoqëruar në spital, ai u përball me një lajm rrënqethës. Dhembjet e forta në bark, i shkakoheshin prej një kanceri të pashërueshëm në pankreas, i cili ishte përhapur në organet e afërta.

Me tumor të tillë të përparuar, mjekët i bënë të qartë që nuk mund të bënin më asgjë për ta shëruar dhe se në rastin më të mirë, i mbeten vetëm gjashtë muaj jetë për të jetuar.

Duke treguar një kurajo të jashtëzakonshme, Charlotte në vend që të zhytej në depresion, u motivua për të organizuar në një kohë rekord martesën e saj perfekte.

Nga premtimi për të qëndruar besnike “deri sa vdekja t’i ndajë” përpara Zotit në kishë, tek dreka madhështore dhe muaji i mjaltit, për 30-vjeçaren gjithçka është një element më shumë për të realizuar përjetësinë e tyre të lumtur, në atë pak kohë që u mbetet bashkë në këtë botë.

Bërtet në avion, udhëtarët e lidhin

Bërtet në avion, udhëtarët e lidhin

Pasagjerë të linjës amerikane të “United Airlines” u përleshën me një udhëtar që nisi të bërtiste në avion e të bënte veprime të çrregullta, informoi të martën “CNN”. 

Ngjarja ndodhi në fluturimin 116, nga Hong Kongu për në Njuark. Në orën e dhjetë të fluturimit, ndërsa “Boeing 777” po i afrohej tokës amerikane, një udhëtar u ngrit në këmbë, e nisi të bërtiste rreth CIA-s, terrrorizmit, skandalit të përgjimeve dhe një lloj helmi.

Frazat ishin të palidhura midis njëra-tjetrës, por kur ai tentoi të fuste dorën në xhep, pasagjerë të tjerë të shqetësuar e vendosën përfund dhe e lidhën.

Ai u dorëzua në mbërritjen në aeroport tek policia, e cila nisi hetimet rreth kësaj ngjarje si dhe verifikimet mbi gjendjen mendore të pasagjerit.

Ndonëse në bordin e avionit u provua një ndienjë pasigurie, anëtarët e ekuipazhit ndihmuan për të vendosur menjëherë rregull dhe ulja u realizua sipas të gjitha procedurave standarte.

Film për minatorët e Kilit

Film për minatorët e KilitShpesh thuhet “një histori si në filma” kur diçka e jashtëzakonshme ndodh. Është rasti i 33 minatorëve që dy vite më parë mbetën të bllokuar nëntokë në Kili për rreth dy muaj, duke shpëtuar më pas të gjithë mrekullisht. 

Një histori që mbajti në tension gjithë botën, fatmirësisht me një fund të lumtur, e cila në këtë rast ka frymëzuar kineastët për të bërë një film: “The 33”, ku kastit të aktorëve meshkuj si Antonio Banderas, Rodrigo Santoro e Martin Sheen, i është bashkuar edhe Jennifer Lopez. Sipas mediave të huaja, mendohet se roli i Lopez do të jetë ai i një prej grave të 33 minatorëve.

Banderas do të interpretojë liderin e punëtorëve të minierës së San Hosezë, ku fillimisht u mendua se ata kishin humbur jetën, por pas 17 ditësh shpresat u ringjallën kur u zbulua se minatorët kishin gjetur një rifuxho nga ku hynte ajër.

Xhirimet do të nisin në vjeshtë, në Kili, ndërsa premiera e filmit mendohet të shfaqet në fund të 2014-ës.