Skip to content

Teori fashiste mbi ndihmën ekonomike

May 7, 2013

Në botën ku jeton klasa e “të privilegjuarve” në Shqipëri, koncepti i ndihmës ekonomike është disi i largët. U përket zonave periferike në Shqipëri dhe në media më së shumti publikohen ankesat e herëpashershme të zyrtarëve të qeverisë për ‘abuzime’, njerëz spekulantë që e përfitojnë pa të drejtë etj.  Së fundmi, ndihma ekonomike hyri disi në debatin politik, ku qëndrimet e palëve paraqisnin një mungesë të thellë njohjeje të realitetit, ndërsa pati qëndrime që mund të konsiderohen disi fashiste.

 

Partia Socialiste përsëriti diçka që e pati thënë edhe në vitin 2009: Dëshiron ta zëvendësojë ndihmën ekonomike me vende pune. Partia Demokratike e komentoi këtë si “detyrim të njerëzve për të punuar në punë komunitare në këmbim të ndihmës ekonomike”. Në fakt, vajza e PD-së që e denoncoi programin e PS-së duket se nuk e ka lexuar as vetë programin e qeverisë së sotme, e cila në 2009 deklaroi të bardhë mbi të zezë se synon ta kushtëzojë dhënien e ndihmës ekonomike me punë publike. Deklarata e PS duket edhe e pakuptimtë nga pikëpamja logjike. Nëse një njeri ka mundësi të punësohet, natyrisht që nuk ka nevojë për ndihmë ekonomike.
Si zakonisht në politikën shqiptare, kemi sharje të ndërsjella për qëndrime të njëjta.
Ndihma ekonomike është një program që u themelua në vitin 1994 me këshillën e Bankës Botërore. Ajo synonte t’u jepte pak para njerëzve që mbetën pa punë. Në atë kohë, më shumë se 1 në 4 familje shqiptare përfitoi këtë lëmoshë nga shteti. Sot janë ende 1 në 7 familje që e përfitojnë. Duke u nisur nga numri i stërmadh i shqiptarëve që kanë një lidhje me ndihmën ekonomike, me të vërtetë ky program meriton një monument.
Ndihma ekonomike është ajo që shpërndan para kesh në zonat më të varfra të vendit. Paraja kesh nuk është thjesht një lëmoshë. Për shkak se leku është një produkt kombëtar, një banor i varfër në një fshat të humbur ka po aq të drejta të përfitojë nga emisioni monetar sa një njeri në Tiranë. Por ajo që ndodh është që leku dhe buxheti i shtetit menaxhohet në Tiranë dhe shpesh grabitet në Tiranë duke e lënë pjesën tjetër të vendit me gisht në gojë.
Tre mijë lekë në muaj ndihmë nga shteti mund të mos kenë kurrfarë rëndësie për ne që jetojmë në Tiranë. Por vlera e lekut është e ndryshme në pjesë të ndryshme të vendit. Në zonat e varfra si Elbasani, Mirdita apo Dibra, me kaq para mund të blihen dy herë më shumë mallra sesa blihen në Tiranë apo Durrës.
Bezdisja e klasës politike nga ekzistenca e ndihmës ekonomike ngjan si një dëshirë për të mohuar faktin se Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet edhe për shumë kohë, një vend i varfër. Një vend ku edhe 30 dollarë në muaj kanë rëndësi në jetët e një pjese të mirë të popullsisë.
Dëshira e klasës politike për të kushtëzuar ndihmën ekonomike me punë publike, siç është shprehur nga të dyja palët konkurruese, duket se është reminishencë e teorive gati fashiste që thonë se paratë falas i bëjnë të varfrit dembelë.
Kjo hipotezë e hedhur fillimisht nga Robert Malthus në fillim të shekullit të 19, është konsideruar si përgjegjëse për shumë katastrofa në historinë e njerëzimit.
Ky parim duket se ka zënë rrënjë në shtetin shqiptar, ku pronësia e një cope toke, konsiderohet si kusht për të mos dhënë ndihmë ekonomike. Për administratorët barkmëdhenj të bezdisur nga numri i madh i familjeve në skemë, nuk ka shumë rëndësi nëse toka prodhon apo nuk prodhon, nëse fshatari ka shans të dalë në treg apo është shumë larg tregut. Përgjatë dekadës së fundit kemi dëgjuar shumë shpesh ankesa për përfituesit dhe pothuajse asnjëherë ankesa për faktin se sa e ulët është ndihma ekonomike.
Pra në thelb kemi shqiptarët e varfër që marrin ndihmë ekonomike dhe shqiptarët e pasur që pretendojnë se të varfrit përfitojnë në mënyrë abuzive, janë dembelë, nuk duan të punojnë etj.
Propaganduesit e këtyre ideve të mbrapshta nuk arrijnë t’i shohin faktet. Askush nuk do të zgjedhë të përfitojë 3 mijë lekë në muaj pa punuar në rast se ka një punë nga ku mund të marrë 15 mijë apo 20 mijë lekë në muaj. Në Britaninë e Madhe, SHBA, Spanjë e shumë vende të tjera, qeveritë kanë ndërtuar apo zgjeruar rrjete dyqanesh për ushqime falas për të varfrit në këto kohë krize. Në Shqipëri debati na është kufizuar te shqetësimi se sa vetë kanë abuzuar, kanë plotësuar një mal me dokumente për të përfituar 30 dollarë në muaj.
Ndihma ekonomike ka vetëm një alternativë dhe kjo alternativë nuk është eliminimi i saj. Alternativa është zgjerimi i saj. Një rrjet kombëtar për shpërndarjen e ushqimeve falas, pra një supë dhe një copë bukë për të gjithë ata që kanë nevojë, është diçka që politika shqiptare duhet të mendojë, si një zgjidhje në kushtet kur kriza ekonomike vijon gjatë.

From → Bota

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: