Skip to content

Rama-Blushi, dy orë e gjysmë pa komunikim në autobusin e “Rilindjes”

May 16, 2013

Rama-Blushi, dy orë e gjysmë pa komunikim në autobusin e “Rilindjes”Ben Blushi e mbajti fjalën: Nuk i foli shoferit të autobusit! Të ulur shumë afër njëritjetrit në autobusin e Partisë Socialiste, ata nuk shkëmbyen asnjë bisedë apo batutë mes tyre. Edhe pse ishte kthyer vonë pas mesnate nga takimet Londër-Bruksel, Rama nuk e anuloi prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarkun e Elbasanit. Siç ndodh para çdo udhëtimi me autobusin e “Rilindjes”, kandidatët për deputetë të qarkut të Elbasanit ishin mbledhur te selia e Partisë Socialiste që në orën 13:00, ndërsa autobusi me ngjyrat e fushatës mbërriti gjysmë ore më vonë. Një kafe para nisjes së rrugës së gjatë, Tiranë-Durrës-Elbasan, për shkak të kthesave të ngushta të Qafë-Kërrabës, ishte ajo që duhej në këtë rrugëtim. Në orën 14:00, “udhëtarët” e autobusit të “Rilindjes”, me në krye Edi Ramën, zunë vend. Përveç kandidatëve për deputetë, janë edhe një grup të rinjsh të FRESSH. Kreu i PS po udhëtonte drejt Elbasanit ulur pranë me një nga zonjat e PS në këtë listë, pedagogen e Ekonomikut, Evis Kushin. 

RAMA-BLUSHI 
Udhëtimi ishte komod, rreziqet e rrugës minimale, sepse një eskortë e Policisë së Shtetit i printe autobusit dhe mjeteve të tjera shoqëruese. Por… dhe pse dje bënte vapë, brenda ishte ftohtë! Sapo kaluam mbikalimin e Kamzës, nisi dhe bashkëbisedimi me gazetarët në autobusin e “Rilindjes”, një tjetër risi kjo e fushatës së sivjetme. Teknologjia 3G afronte tashmë kushtet e një video-konference, e cila transmetohej live dhe në disa televizione informative. Pasi u përgjigj pyetjeve tona, kryesocialisti nisi të interesohej për aktivitetin e përditshëm të Evis Kushit, fushatën, takimet me njerëzit, ndërsa mungonte një zë që të afronte kreun e autobusit me fundin e tij. Në sediljet dyshe, secili fliste me shokun në krah, pa mundur të krijonte një atmosferë të ngrohtë në temperaturat e ulëta të kondicionerit. Gjatë gjithë rrugës që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, Rama e Blushi nuk shkëmbyen asnjë batutë apo komunikim. Blushi ka komunikuar në telefon dhe me Musa Ulqinin, me të cilin ishte ulur pranë, por asnjë fjalë me Ramën. Ndoshta ka qenë ky qëndrim mes tyre që nuk ka nxitur pjesën tjetër të autobusit të ngrejë sadopak atmosferën në autobus. Kolegët gazetarë që kishin udhëtuar më parë me autobusin drejt Durrësit apo Beratit, por edhe në Shkodër, gjë që duket dhe në fotot që Rama ka hedhur në profilin e tij në Facebook, tregojnë për situata humori jashtë çdo kornize zyrtare. Ndoshta kjo dhe nga profili më sportiv i protagonistëve. 

KONVENTA 
Konventa dyditore e PS, që zhvillohet të dielën dhe të hënën, ishte një tjetër shqetësim i Ramës. Ai u konsultua gjatë me kreun e Grupit të Punës në PS për punësimin, Arbër Mazniku, ndërsa pjesën tjetër të kohës e kaloi duke komunikuar me SMS. Në një moment qetësie, e pyes Edi Ramën se “në Lezhë fjala tradhtar ishte shpërdoruar shumë”, ndërsa ai m’u përgjigj: “Ai është tradhtar!”, duke iu referuar Gjovalin Kadelit. Asnjë batutë tjetër nga askush! Duke dëgjuar kandidatët të flisnin në celularë, kuptova se po mbërrinim. Vazhdimisht merrnin persona të ndryshëm, ndërsa pyetja ishte një: “Si është situata aty? Kanë ardhur shumë njerëz? Është mbushur sheshi? Është mbushur?! Shumë mirë!” Në Metalurgjik, disa dhjetëra makina të mbuluara me flamujt e Partisë Socialiste prisnin autobusin e “Rilindjes”. I entuziazmuar nga kjo shfaqje, Rama pyeti se nga cila zonë janë këta simpatizantë. “Janë të Elbasanit”, ishte përgjigjja e ardhur nga kryetarja e kësaj dege, Luljeta Arapi. “Ka lezet kështu makina me flamuj, jo si kuajt e Fidelit”, ishte batuta e Ramës, pasi vargu i gjatë i makinave i paraprinte rrugës së drejtë të autostradës Metalurgjik-Elbasan. Pasi kaloi rrugën para Prefekturës dhe Bashkisë, autobusi hyri në bulevardin e rikonstruktuar “Qemal Stafa”, ndërsa u ndal para Portës së Kalasë ku turma e priti me entuziazëm

From → Vendi

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: