Skip to content

Ndërhyrja ushtarake në Siri do të ishte rrezik për SHBA-në

May 24, 2013

Foto: AFP/Getty ImagesShtetet e Bashkuara të Amerikës prej disa kohësh tashmë janë duke ndjekur një qëndrim të kujdesshëm ndaj luftës civile në Siri, duke ofruar mbështetje retorike dhe jo ndihmë konkrete trupave rebele. Publikisht kanë deklaruar se nuk do të ketë angazhim të trupave amerikane në luftë kundër regjimit të Damaskut.

Në përpjekjen e fundit për t’i dhënë një zgjidhje konfliktit, SHBA dhe Rusia kanë rënë dakord të mbështesin një takim mes drejtuesve të forcave rebele dhe presidentit Bashar al-Assad në fillim të muajit qershor në Gjenevë. Por dy vendet mbajnë qëndrime të ndryshme për konfliktin, shkruan Deutsche Welle.

SHBA vazhdon t’i bëjë thirrje Assadit të tërhiqet, ndërsa Rusia thotë se ajo është një çështje e brendshme e Sirisë. Bisedimet e paqes janë komplikuar gjithashtu me kërkesën që Moska i ka bërë Iranit për të marrë pjesë në negociata.

Disa pjesëtarë të Kongresit Amerikan janë duke bërë thirrje për një ndërhyrje të ushtrisë amerikane në terren. “Ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë të mendojmë pasojat e një ndërhyrje direkte të ushtrisë amerikane në Siri”, tha sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat.

Armatosja e rebelëve

Senatorët Robert Menendez dhe Bob Corker kanë bërë gati një draft që do t’i jepte të drejtën presidentit Obama të armatosë fraksionet rebele. Ndërkohë administrata ka rënë dakord të dërgojë vetëm ndihma humanitare dhe jo armë për rebelët. “Për t’i dhënë fund regjimit të Assadit ne duhet të ndihmojmë opozitën me armë”, tha Menendez.

Sipas Aram Nerguizian nga Qendra Strategjike për Studime Ndërkombëtare, administrata e Obamës është duke lehtësuar transportin e armëve nga vendet e Evropës Lindore drejt rebelëve sirianë. Por frika e Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë është se këto armë mund të bien në dorë të militantëve islamistë dhe më vonë mund të përdoren kundër interesave të SHBA-së.

Operacioni i vështirë

Që prej fillimit të luftës civile në Siri, ka pasur thirrje nga vendet perëndimore të krijoheshin zona me ndalim fluturimi dhe zona të sigurta për opozitën. Muajin e shkuar senatorët Carl Levin dhe John McCain i shkruan një letër presidentit Obama, ku i bënin thirrje të përdorte një forcë ‘të limituar’ ushtarake për të vënë rregull në Siri. “Ne bëjmë thirrje urgjente, që së bashku me aleatët tanë të dobësojmë regjimin e Assadit dhe të ndihmojmë Turqinë nëse ata janë të gatshëm të krijojnë një zonë sigurie në veri të Sirisë”, shkruanin senatorët.

Por sipas Nerguizian, një operacion i tillë ushtarak do të kërkonte edhe grupe luftimi, ku do të përfshihen forcat ajrore dhe mbështetje nga anijet në det.

“Jemi duke folur për një operacion që do të verë nën trysni operacionet ajrore siriane, por siç e tregoi beteja e Qusair, është e rrezikshme të nënvlerësojmë ushtrinë e Assadit”, thotë Nerguizian. Forcat qeveritare siriane luftuan gjatë fundjavës së shkuar për të rimarrë qytetin Qusair, që ndodhet në kufi me Libanin. Edhe një operacion i forcave perëndimore do të ishte i rrezikshëm për shkak se Rusia ka zhvendosur 5 anije luftarake në Mesdhe dhe i ka shitur predha anti-anije regjimit të Assadit. Rrezja e këtyre predhave arrin deri në Qipro.

Eliminimi i armëve kimike të Sirisë

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel tha para Komitetit të Shërbimeve të Armatosura në Senat se rreth 200 ushtarakë amerikanë janë zhvendosur në Jordan për të ndihmuar në operacione të ndryshme në Siri. Ndërsa The Los Angeles Times raportoi se numri i tyre mund të rritej në 20,000, nëse administrata e Obamas do të vendoste të godiste armët kimike të Sirisë.

Por në një raportim të CNN në muajin shkurt, duke cituar një burim në Pentagon, thuhej se një operacion i tillë mund të kërkojë 75 mijë trupa tokësorë. Nerguizian thotë se pavarësisht ndërhyrjes ushtarake, negociatat do të jenë të nevojshme herët a vonë.

From → Bota

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: