Skip to content

Të rinjtë, të pakënaqur me mundësitë që ofron Kosova

May 27, 2013
Kosovë 2006, Komunat

Kosovë 2006, Komunat (Photo credit: Wikipedia)

Të rinjtë kosovarë duket të jenë të zhgënjyer me mundësitë që i ofron vendi për ta. Ata kanë adresuar një varg kritikash ndaj autoriteteve të Kosovës, e në veçanti ndaj institucioneve kompetente që mund të bënin zgjidhjen e problemeve, si: papunësia, liberalizimi i vizave, mundësi më të mira për shkollim etj.

Në rubrikën e përjavshme VOX të Radio Evropa e Lirë, Gazmend Bytyçi thotë se shpëtimi i vetëm për të rinjtë është liberalizmi i vizave.

“Kosova asnjë mundësi nuk na ofron. Me padurim e presim liberalizimin e vizave. Ajo është e ardhmja jonë. Unë shpresoj atëherë të dal jashtë Kosovës dhe ndoshta do ta gjej veten. Nuk ka ardhmëri për rini. Këtu vetëm dita dhe nata ndërron, asnjë lëvizje nuk ndodh”, shprehet Gazmendi.

Edhe Adriatik Gacaferri, jep mendimin e tij rreth asaj se sa ofron mundësi Kosova për të rinjtë:

“Ka më shumë se 20 vjet jemi të izoluar… E gjithë Qeveria duhet të ndërrohet; të gjithë të rinjtë ta marrin në mbikëqyrje shtetin dhe të ecim përpara”.

Ngjashëm mendon edhe Lulzim Hajdaraj.

“Për çdo ditë nga 20-30 të rinj e lëshojnë Kosovën. Uroj të bëhet më mirë. Me një pagë 300 euro aq sa është edhe mesatarja në Kosovë, nuk e di si jetohet”.

Por, ka edhe të tillë që janë optimistë dhe mendojnë se me uljen e korrupsionit do të mund të bëhet mirë në Kosovë. Kështu shprehet edhe Agim Gashi.

“Varet pak edhe prej neve se sa punojmë. Unë jam mesatarisht i kënaqur me kushtet që i ofron Kosova. Atë çka do ta ndërroja unë, është ulja e korrupsionit”, thotë Agimi.

Ndërkaq, ka edhe të tillë që mendojnë se moskujdesi institucional nis që në ciklin e ulët.

“Ka shumë nxënës që nuk i kanë kushtet as të shkollohen. Unë mendoj se Kosova nuk ofron asgjë. Për shembull, në shkollën tonë nuk ka as kabinete që do të mund të avancoheshim”, thotë Ardiana Ahmeti.

Ndër problemet që do të mund të eliminoheshin nga ana e institucioneve përgjegjëse, të rinjtë përmendin edhe hapësirat e ngushta ku ata mbajnë ligjëratat. Studentët thonë se ato salla duhet të jenë më të mëdha, pasi që numri i studentëve në disa fakultete është shumë i madh.

Studentja Medina Shallci konsideron se studentët në vend që të përqendroheshin vetëm në cilësi, ata përballen me kushte jo të mira mësimi.

Edhe Sabedin Beqiri shprehet i pakënaqur me situatën aktuale që po mbretëron në Kosovë.

“Duke e parë situatën ekonomike, nuk është aspak mirë. Kishim ndryshuar shumë gjëra, por nuk varet nga ne se çka do të ndryshonim. Në Kosovë ka më shumë se 30 vjet nuk janë ndërtuar fabrika/ Edhe ato që kanë qenë, janë shkatërruar, janë shitur dhe asnjë lëvizje pozitive nuk ka ndodhur”.

Me mbi 35 për qind të moshës 15 deri 24-vjeçare dhe mbi 65 për qind nën moshën 30-vjeçare, rinia paraqet grupmoshën më të madhe të popullsisë në Kosovë. Por, e madhe nuk duket të jetë dhe përkujdesja institucionale ndaj shqetësimeve dhe problemeve, me të cilat ballafaqohet kjo pjesë e popullsisë.

E zhgënjyer nga autoritetet e Kosovës, duket të jetë edhe Besa Ymeri.

“Çdo ditë diplomojnë studentë, magjistrojnë, doktorojnë dhe sillen rrugëve pa punë. Gjithmonë duhet ta gjejnë një rrugë për të ikur nga Kosova “, shprehet Besa.

Ndërkaq, Lendita Bijevci, studente në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane, thotë se ka jetuar 15 vjet në shtetin gjerman dhe Kosovën e sheh si një vend me mundësi të vogla për të rinjtë.

From → Rajoni

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: