Skip to content

Opozita : Pallati i Rinise ne duart e mafies

June 9, 2013

Bizneset që operojnë në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve, ankohen për qiranë e lartë në Pallat, ata paguajnë shuma të majme parash për qiradhënie. Shumat arrijnë deri në 4 mijë euro për një muaj. Opozita shpreh dilemat se nuk dihen saktësisht përfituesit e kësaj qiramarrje dhe se Pallati ka mbetur pa menaxhim të mirë. Komuna e Prishtinës nuk merr përgjegjësi, pasi Pallati menaxhohet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht AKP-ja.

Pronarët e lokalëve që zhvillojnë bizneset e tyre në Pallatin e Rinisë edhe pse ankohen nga kjo qira tejet e lartë, ata nuk deshën që t’u dalë emri në gazetë. Pronari i një lokali që paguan shumën prej 3 mijë e 843 euro për 225 metra katrorë, çdo muaj ballafaqohet me këtë shumë të lartë të qirasë. Një tjetër ushtrues biznesi në Pallat edhe ai ka ankesa për këtë gjë, ai paguan për 140 metra katrorë shumën prej 3 mijë eurove, por edhe ky nuk dëshiron që t’i dalë emri në gazetë, shkruan “Zëri”.

Pavarësisht ankesave, Drejtoria e Pallatit çmimet i sheh të konsiderueshme, duke bërë krahasime me qendrat tregtare në Prishtinë dhe se ai nuk ka pasur ankesa nga qiramarrësit për këtë.

“Asnjëherë nuk kam pasur ankesa për qiranë e shtrenjtë dhe se mendoj që janë çmimet më të lira të qirasë, krahasuar me çmimet e qendrave të tjera ne Prishtinë”, është shprehur Bajram Uka, drejtor gjeneral i Pallatit të Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në Prishtinë.

Edhe pse këto çmime thuhen që janë të shtrenjta dhe të papërballueshme për tregtarët afaristë dhe i pyetur se pse janë të tilla, Uka thotë se kush dëshiron të qëndrojë le të qëndrojë dhe se këto çmime janë politika e tyre afariste dhe se këtu nuk mund të përzihet askush ngase janë ata që vendosin.

“Kush dëshiron të ushtrojë veprimtarinë e tij këtu, le të qëndrojë, çmimet pse janë të tilla, kjo është politika jonë afariste, ne jemi ata që vendosim për politikat afariste”, tha Uka.

Ai bën të ditur se brenda vitit, shpenzimet sillen rreth 1 milion e 592 mijë e 504 euro, ndërsa të ardhurat vjetore janë diku rreth 1 milion e 642 mijë e 852 euro, ku konsiderohet që fitim i pastër të jetë shuma prej 50 mijë euro dhe se nga menaxhimi i mirë i pallatit arrin të funksionojë mirë.

E nga ana tjetër zyrtarë të “Vetëvendosjes” dhe të PDK-së, menaxhimin e Pallatit të Rinisë nuk e shohin aspak të mirë. Zyrtarë të VV, menaxhimin e Pallatit e shohin në duar të mafiozëve në koordinim mes PDK-së dhe LDK-së, ndërkaq zyrtarët e PDK-së pos menaxhimit të keq që praktikohet në Pallat, ata edhe qiratë i vlerësojnë të larta.

“Pallati i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, po menaxhohet nga mafia në koordinim mes PDK-së dhe LDK-së dhe se normalisht që mafia nuk menaxhon aspak mirë”, deklaroi Sadri Ramabaja nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Ai ka thënë se qiraja është e shtrenjtë, për arsye se ajo shkon dorë në dorë, nga dora e parë në të dytën, saktësisht nuk dihen as qiramarrësit, ka thënë ai.

Ndërkaq, i pyetur për akuzat që “Vetëvendosje” shpreh karshi PDK-së dhe LDK-së, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, përgjigjet duke thënë se Pallati i Rinisë, nuk menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Pallati menaxhohet nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Agjencia Kosovare e Privatizimit, (AKP).

Ndërsa, Shemsi Veseli, kryetar i degës së PDK-së, në Prishtinë, ka thënë: “Pallati i Rinisë, Kulturës dhe Sportit, nuk po menaxhohet aspak mirë dhe se s’ka transparencë për opinionin dhe se çmimet e qirasë i shohin dukshëm të larta, krahasuar me gjendjen ekonomike në vend”. Madje ai thotë se ka shumë keqpërdorime brenda pallatit, e kjo, sipas tij, për interesa të individëve të caktuar.

From → Rajoni

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: