Rama: Zgjedhjet, historike për vendin
Në një takim me temë “Tironsit për Rilindje”, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se zgjedhjet e 23 qershorit janë historike për vendin, pasi nuk janë zgjedhje mes dy palësh, por janë zgjedhje mes rrënimit dhe rimëkëmbjes së vendit.
“Eshtë një zgjidhje mes kësaj Shqipërie ku ka krim, pasiguri, konflikte pronash, papunësi të madhe, arsim jocilësor, analfabetizëm, sistem shëndetësor të falimentuar, sistem shëndetësor të korruptuar, ndotje, plehra dhe plot probleme të tjera; dhe një Shqipërie ku puna të mos jetë privilegj, por dinjitet i secilit, një Shqipërie që të ofrojë shërbime, njësoj si për ata që kanë, si për ata që s’kanë, një Shqipërie normale ku të ketë vaditje të tokave, dhe jo tharje të tyre kur është verë dhe përmbytje kur ka reshje”, tha Rama.
Kreu socialist theksoi se alternativa e Rilindjes nuk do të sjellë mrekullira, por ai vetë premtoi se hallet e popullit do të jenë hallet e tij, problemet e tyre do të jenë problem i tij dhe përpjekjet e njerëzve do të jenë përpjekjet e tij.