Skip to content

SHBA: Numërimi, proces kritik

June 19, 2013
English: US Ambassador Philip T. Reeker in Mac...

 US Ambassador Philip T. Reeker

Zëvendës/ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Philip Reeker, deklaroi se u takon të gjitha palëve, të përfshira në zgjedhjet parlamentare të së dielës, në Shqipëri, që të respektojnë rezultatin përfundimtar. 

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Reeker kërkoi që Shqipëria t’i realizojë këto zgjedhje në përputhje me statusin e saj, si vend anëtar i NATO-s. Por, për zyrtarin amerikan, KQZ-ja e mbetur me 4 anëtarë është shqetësim për certifikimin e zgjedhjeve.

“Moskonstituimi i plotë i KQZ-së paraqet sfida për administrimin me efektivitet të zgjedhjeve. Sidomos sa i përket certifikimit të tyre dhe trajtimit të apelimeve. Ne dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kemi theksuar se kjo është një cështje e rëndësishme, të cilës i duhet kushtuar vëmendje. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se populli shqiptar, shtetasit me të drejtë vote, kanë më pak besim te procesi, si rezultat i vazhdimit të vështirësive me statusin e KQZ-së. Por, megjithëse KQZ-ja nuk është e plotë, partitë politike, kandidatët, si qeveria dhe opozita, kanë vendosur t’i zhvillojnë zgjedhjet dhe ata kanë përgjegjësi t’i zhvillojnë këto zgjedhje, në përputhje me statusin e Shqipërisë, si një aleate e NATO-s, në mënyrë që i gjithë populli shqiptar të ndihet krenar për to”, u shpreh Reeker.
Duke u ndalur në cështjet e numërimit të votave, Reeker ka kujtuar precedentët negativë të së shkuarës.

“Mendoj se numërimi i votave do të jetë një element kritik, një pjesë e rëndësishme e procesit. Është një nga elementët, që nuk gëzon nivelin më të lartë të besimit të publikut, bazuar në historikun e manipulimeve elektorale në të kaluarën. Prandaj, u bëjmë thirrje të gjitha partive politike të kenë përfaqësuesin e tyre në aparatin lokal elektoral dhe më grupet e numërimit të votave, që të jenë pjesë e këtij procesi dhe të respektojnë deri në fund, në gërmë e në frymë, ligjet”, shtoi më tej Reeker.

I pyetur në lidhje me pranimin e rezultatit të zgjedhjeve prej palëve dhe nëse kjo përbënte shqetësim për Ëashington-in, Reeker deklaroi.

“Le të kujtojmë se në Shqipëri ka mjete ligjore për të apeluar rezultatin e zgjedhjeve përmes sistemit të gjykatave. Mënyra se si e zhvillojnë fushatën partitë politike, si i zhvillon zgjedhjet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si numërohen votat, si zgjidhen mospajtimet, si reagon publiku dhe partitë politike ndaj rezultatit të zgjedhjeve, të gjitha këto do të dërgojnë një mesazh shumë të qartë rreth të ardhmes së Shqipërisë”, përfundoi Reeker.

Advertisements

From → SHBA

Leave a Comment

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: